Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë me pikëllim të thellë shpreh ngushëllime për vdekjen e anëtarit të këshillit redaktues, njëherit edhe fitues i çmimit Nobel – Dr. Ferid Murad.
Dr. Ferid Murad është lindur në Whiting, Indiana në vitin 1936. Babai i tij Xhabir Murad Ejupi është lindur në Gostivar në vitin 1892 dhe ka emigruar fillimisht në Austri ndërkaq në vitin 1913 në SHBA. Dr. Murad ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë, ka specializuar në sëmundjet interne dhe ka fituar titullin PhD në farmakologji.
Ndër arritjet e tij më të shquara është identifikimi i rolit të monoksitit të azotit (NO) në sistemin kardiovaskular dhe rregullimin e presionit të gjakut. Përveç shumë çmimeve dhe mirënjohjeve Dr. Murad e ka fituar edhe Çmimin Nobel për Mjekësi dhe Fiziologji duke u kurorëzuar me mirënjohjen më të lartë për aktivitetin shkencor dhe rezultatet e hulumtimeve të tij shkencore. Ka qenë anëtarë i shumë shoqatave dhe asociacioneve ndërkombëtare. Ka publikuar shumë libra dhe artikuj në revista shkencore të njohura botërore. Revista Medicus ka pasur nderin dhe privilegjin ta ketë anëtarë në këshillin redaktues.
Me një karrierë të pasur dhe një kontribut të jashtëzakonshëm ndaj mjekësisë dhe shkencës, Dr. Ferid Murad do të mbahet mend përgjithmonë si një pionier i fushës dhe si shkenctar revolucionar i shekullit XX.
Përderisa humbja e Dr. Ferid Murad na bën të ndjehemi të mërzitur, trashëgimia e tij shkencore do të vazhdojë të ndriçojë dhe të frymëzojë brezat e ardhshëm të shkencës.
Kryeredaktor
Prof. Dr. Nevzat Elezi