Statuti

STATUTI I SHOQATËS SË MJEKËVE SHQIPTARË TË MAQEDONISË

Në bazë të nenit 2 nënpika 1 dhe 14, në lidhje me nenin 5, 20 dhe 76 nga ligji mbi Organizimin e Qytetarëve dhe Fondacioneve (Fletorja zyrtare e R. Maqedonisë Nr 31/98), Kuvendi i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur me datë 02. 03. 2008 e miratoi këtë:

S T A T U T

Të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë.

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Me Statutin e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Republikën e Maqedonisë përcaktohen këta dispozita: emri i shoqatës dhe selia e sajë, veprimtaria, forma e organizimit, qëllimet dhe detyrat, të drejtat dhe obligimet, përgjegjësitë, anëtarësimi, financimi, posedimi dhe shfrytëzimi i mjeteve financiare dhe materiale, prezantimi dhe përfaqësimi, mënyra e informimit për punën e shoqatës, bashkëpunimi me shoqatat tjera simotra dhe organizata profesionale në vend dhe në botë, formimi dhe ndërprerja e punës së shoqatës dhe procedura e miratimit të statutit.

II. FORMA E ORGANIZIMIT
Neni 2
Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni (në tekstin që vijon – Shoqata apo inicialet e emrit – SHMSHM) është e organizuar në mënyrë vetanake dhe profesionale, nëpërmjet organizimit realizon qëllimet, detyrat, obligimet dhe të drejtat që dalin nga ligjet dhe kushtetuta.

Neni 3
Kjo shoqatë si organizim i pavarur dhe profesional i mjekëve shqiptarë është formuar me qellim që t’i mbroj të drejtat e stafit të vetë, anëtarësisë së vetë, të mbroj vlerat etike dhe profesionale, të bëj përmirësimin e shërbimeve mjekësore në interes të pacientit, të përcjell marrëdhëniet e personelit shëndetësorë me pushtetin dhe me qytetarët, e gjithë kjo në favor të mbrojtjes se profesionit të mjekut.

III. EMRI DHE SELIA E SHOQATËS

Neni 4
Emri i Shoqatës është: SHOQATA E MJEKËVE SHQIPTARË NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË.

Neni 5
Selia e shoqatës është në kompleksin e Qendrës Medicinale në Tetovë, rruga 29 Nëntori, pa numër. Selia mund të ndërrohet me vendim të Kuvendit dhe të Kryesisë Qendrore të Shoqatës.

Neni 6
Shoqata është e regjistruar në regjistrin e Shoqatave të Qytetarëve dhe Fondacioneve pranë Gjykatës Themelore në Tetovë.

Neni 7
Shoqata ka memorandumin dhe vulën e vetë. Vula ka formën e rrumbullakët me diametër 3,5 cm, në brendinë e së cilës në formë gjysmërrethi është i shënuar në dy gjuhë, shqip dhe maqedonisht, ky emër: Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Maqedoni, Tetovë. Në mesin e vulës figuron emblema e Shoqatës e që është fytyra e Hipokratit në tufe kornizë me emrin e tij dhe simbolin e shëndetësisë: dy gjarpërinj të mbështjellur në gota.
Memorandumi i shoqatës ka formë katërkëndëshi në të cilin horizontalisht është e shkruar në dy gjuhë emri dhe selia e shoqatës, numri protokollar dhe data e pranim-dorëzim të akteve.
Neni 8
Shoqata e ka xhirollogarinë e vetë pranë Bankës Ekonomike “Stopanska banka” filiali në Tetovë, numrin tatimor, web site dhe e-mail-in.
Neni 9
Shoqata e ka statusin e personit juridik me të drejta, obligime dhe përgjegjësi, të cilat dalin nga statuti, ligjet dhe kushtetuta.

Neni 10
Shoqatën e përfaqëson dhe prezanton kryetari i shoqatës ose në mungesë të kryetarit, shoqatën e përfaqëson dhe e prezanton zv/kryetari i shoqatës. Me autorizim të posaçëm nga kryetari ose zv/kryetari shoqatën mund ta prezantojë dhe përfaqësojë sekretari gjeneral i shoqatës ose ndonjëri nga anëtarët e kryesisë qendrore me autorizim gojor ose të shkruar.
Në nivel të degëve shoqatën mund ta përfaqësoj dhe prezantoj kryetari i degës me të gjitha të drejtat dhe obligimet që dalin nga statuti dhe ndonjëri nga anëtarët e i kryesisë së degës me autorizim gojor ose të shkruar nga kryetari i degës.

IV. QËLLIMET DHE DETYRAT E SHOQATËS

Neni 11
Shoqata në mënyrë aktive nëpërmjet Kryesisë Qendrore, Kryesive të Degëve, Kuvendit Qendror dhe Kuvendit të Degëve mbron interesin e anëtarëve të vetë, etikën dhe moralin në shëndetësi në funksion të profesionalizmit dhe shkencës. Shoqata ka për obligim t’i përcjell dukuritë e ndryshme në legjislativen shtetërore në sferën e shëndetësisë dhe të reagoj në mënyrë adekuate ndaj fenomeneve të ndryshme.
Neni 12
Shoqata e ka për detyrë të organizojë në mënyrë të vazhdueshme aktivitete profesionale dhe shkencore me ligjërata të ndryshme në nivel të degëve, kongrese, takime profesionale, akademi solemne dhe vizita shkencore në nivele të ndryshme, krejt kjo në funksion të ngritjes profesionale dhe shkencore.
Shoqata ka revistën shkencore profesionale “Medicus” me ISSN, UDC dhe bar-cod karakteristik. Revista botohet dy here në vit.

Neni 13
Shoqata e ka për obligim të mban llogari për çdo anëtarë të vetin për punën e tij profesionale dhe përsosjen shkencore duke dhënë rekomandime dhe mendime para organeve dhe institucioneve në shtet dhe jashtë shtetit.

Neni 14
Shoqata nëpërmjet organeve të veta e ka për detyrë të përcjell në mënyrë aktive tërë procesin shëndetësorë në vend në lidhje me parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, lëshimin në përdorim të barnave, organizimin shëndetësorë në shtet, të përcjell diskriminimet profesionale, përsosjen profesionale nëpër organizatat shëndetësore private dhe publike dhe të përcjell sjelljen e ligjeve nga sfera e shëndetësisë në funksion të ruajtjes dhe mirëqenies së shëndetit të pacientit.

Neni 15
Shoqata e ka për detyrë nëpërmjet degëve të veta të mbaj regjistrin e anëtarëve të vet, të mbaj regjistrin e mjekëve të porsadiplomuar si dhe të kujdeset për ta nëpërmjet dhomës së mjekëve në marrjen e licencës për punë dhe mbrojtjen e anëtarëve të vet para dhomës së lartpërmendur.
Anëtarët e shoqatës duhet të pajisen me librezë anëtarësie dhe rregullisht të paguajnë anëtarësinë. Anëtarët e shoqatës mund të japin dorëheqje në çdo kohë me shkrim në selinë e degës së shoqatës.
Anëtarët e shoqatës mund të përjashtohen nga shoqata për qëndrim dhe sjellje të dëmshme. Për përjashtimin e anëtarëve vendos Kryesia Qendrore.
Anëtarë nderi i shoqatës mund të jetë çdo anëtar, i cili me punën e vet ka dhënë kontribut të posaçëm në zhvillimin e shkencës mjekësore dhe të shoqatës.
Anëtarët e nderit i verifikon Kuvendi Qendror.

V. ORGANET E SHOQATES
Neni 16
Organ më i lartë që del nga Kuvendet e Degëve dhe Kuvendi Qendrorë i Shoqatës është Kryesia Qendrore e Shoqatës.

Neni 17
Kryesia Qendrore e Shoqatës ka numër tek të anëtarëve dhe numri më i vogël i anëtarëve të Kryesisë Qendrore është 7 anëtarë.

Neni 18
Anëtarët e Kryesisë Qendrore delegohen nga degët e shoqatës. Çdo degë e shoqatës delegon numër të anëtarëve të Kryesisë Qendrore sipas numrit të anëtarëve të regjistruar dhe që janë pagues të rregullt të anëtarësisë. Dega që ka nën 50 anëtarë të rregullt delegon një anëtarë, dega që ka 50 deri 100 anëtarë delegon dy anëtarë, dega që ka 100 deri 150 anëtarë delegon tre anëtarë, dega që ka 150 – 200 anëtarë delegon katër anëtarë në Kryesinë Qendrore.

Neni 19
Anëtarët e kryesisë i delegon kuvendi i degëve në mbledhjen e rregullt me të gjithë anëtarët pas konstituimit. Në kuvendin e degëve marrin pjesë të gjithë anëtarët e regjistruar në nivel të degës, të cilët në nivel të degës janë edhe kuvendarë të degës.

Neni 20
Anëtarët e Kryesisë Qendrore pas delegimit nga kuvendet e degëve i verifikon në mënyrë formale Kuvendi Qendror i Shoqatës. Me shumicë votash nga kuvendarët e kuvendit qendrorë bëhet verifikimi i anëtarëve të Kryesisë Qendrore. Zgjedhja mund të jetë e hapur, e mbyllur apo me aklamacion.

Neni 21
Kuvendi Qendror ka të drejt të mos verifikojë ndonjë kandidatë të deleguar nga kuvendet e degëve vetëm nëse ka argumente se ai nuk është i përshtatshëm për anëtarë të kryesisë qendrore dhe ia kthen kuvendit të degës në rishqyrtim për propozim te ri.
Neni 22
Anëtarët e Kryesisë Qendrore në mbledhjen konstitutive që e thirr kryetari i vjetër i shoqatës nga radhët e veta zgjedh kryetarin e ri të shoqatës, zgjedh zv/skryetarin dhe sekretarin gjeneral të shoqatës.
Neni 23
Mandati i Kryesisë Qendrore zgjatë katër vjet pa të drejt që të rizgjidhet për së dyti. Mandati i kryetarit te shoqatës, zv/skryetarit të shoqatës dhe sekretarit gjeneral të shoqatës zgjatë vetëm dy vjet, me mundësi për rizgjedhje edhe një mandat nga kryesia e njëjtë.
Kryetari i Shoqatës vendos për problemet aktuale në përditshmërinë e veprimit profesional të anëtarëve të shoqatës në konsultim me zv/kryetarin dhe sekretarin gjeneral.
Kryetari i Shoqatës e njofton Kryesinë Qendrore për të gjitha aktivitetet e marra ndërmjet dy mbledhjeve.
Neni 24
Zëvendëskryetari i Shoqatës e udhëheq shoqatën në mungesë të kryetarit, e në mungesë të kryetarit apo zv/kryetarit me shoqatën mund të udhëheq ndonjëri nga anëtarët e Kryesisë Qendrore deri në kthimin e kryetarit apo zv/kryetarit, me autorizim gojor apo të shkruar nga kryetari apo zv/kryetari.

Neni 25
Sekretari gjeneral i udhëheq të gjitha punët administrative në shoqatë në bashkëpunim me të gjithë anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të kryetarit apo zëvendëskryetarit.

Neni 26
Kryesia Qendrore mbanë mbledhje të rregullta sipas detyrave që i parashtrohen, por nga mbledhja në mbledhje mos të kalojnë më shumë se 3-6 muaj. Në çdo mbledhje Kryesia Qendrore mban procesverbal.

VI. KRYESIA E DEGËS
Neni 27
Kryesia e degës është organ udhëheqës në kuadër të shoqatës, e cila zgjidhet nga anëtarët e shoqatës, të cilët janë anëtarë të rregullt dhe të regjistruar në degë. Anëtarët e degës së shoqatës janë njëherë edhe kuvendarë të degës.

Neni 28
Kryesia e degës numëron prej 5 deri në 7 anëtarë, kurse në degët më të mëdha deri ne 9 anëtarë. Kryesia e degës e zgjedh kryetarin dhe sekretarin nga radhët e veta të kryesisë së degës me të cilën udhëheq katër vjet. Kryesia ka të drejt të zgjidhet edhe në një mandat tjetër katërvjeçare.
Neni 29
Me kryesinë udhëheqë kryetari i degës e në mungesë të tij kryetari emëron gojarisht apo me shkrim zëvendës një nga anëtarët e kryesisë së degës

Neni 30
Kryesia e degës e ka për detyrë çdo 3 muaj, sipas nevojës edhe më shpesh, të mban nga një mbledhje.

Neni 31
Kryesia e Degës ka të drejtë të bëj regjistrimin e degës së shoqatës në marrëveshje me Kryesinë Qendrore edhe në nivel dege në organet e gjyqit përkatës me vendim për regjistrim.
Neni 32
Kryesia ka të drejt të bën vulën e vetë të degës së shoqatës të njëjtë me vulën e kryesisë qendrore, por shkruhet dega e qytetit përkatës dhe selia e degës.

Neni 33
Çdo degë ka të drejt të hapë xhirollogarinë e vetë dhe të mbaj për nevojat dhe harxhimet e veta 50% të mjeteve financiare dhe materiale të ardhura nga pagimi i anëtarësisë, donacioneve, sponzorimeve dhe të hyrave tjera në degën e shoqatës. Pjesa tjetër e mjeteve financiare i destinohet Kryesisë Qendrore të Shoqatës.
Neni 34
Për çdo harxhim kryesia e degës e informon Kryesinë Qendrore dhe anëtarët e degës në raportin financiarë vjetorë apo gjashtëmujorë.

VII. KUVENDI QENDROR I SHOQATËS

Kuvendi Qendror i Shoqatës është organ më i lartë i shoqatës, i cili e kontrollon punën e Kryesisë Qendrore, të kryesive të degëve, funksionarëve të shoqatës, miraton vendime, raporton para organeve shtetërore dhe gjyqësore, formon grupe punuese dhe komisione, jep leje për regjistrimin dhe dhurimin e pasurive materiale dhe bën evidentimin vjetor të pasurive të tundshme dhe të patundshme të shoqatës. Kuvendi Qendror sjell vendime për formimin e degëve të reja nëse paraqitet numër i mjaftueshëm i anëtarëve nëpër qytete të Republikës.
Neni 35
Kuvendi Qendror zgjidhet nga anëtarët e degëve me delegim nga degët edhe atë me këtë kriter: ne çdo dhjetë anëtarë të degës zgjidhet nga një kuvendarë në Kuvendin Qendrorë.
Neni 36
Kuvendi konstituohet me thirrjen e mbledhjes konstitutive të thirrur nga kryetari i shoqatës dhe në mbledhje konstitutive zgjedh kryetarin dhe zv/kryetarin e kuvendit.

Neni 37
Kuvendi sjell rregulloren e vetë se si do të organizohet shoqata në nivelin vertikal dhe horizontal. Kuvendi zgjedh komisionet e shoqatës dhe gjyqin e nderit.

Neni 38
Në kuvendin qendror vendoset për mandatin e kuvendarëve dhe për shpalljen e zgjedhjeve në nivelet e shoqatës.

VIII. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 39
Zgjedhja e anëtarëve dhe funksionarëve të shoqatës në të gjitha nivelet bëhet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i anëtarëve nëpër nivele.

Neni 40
Me pushimin e punës së shoqatës njoftohen organet zyrtare dhe e tërë pasuria u ndahet organizatave humanitare dhe jo qeveritare.

Kuvendi Qendror i Shoqatës së Mjekëve Shqiptar të Republikës së Maqedonisë.

Tetovë, 24. 02. 2008