Më 26 Tetor, 2007, në Tetovë, u mbajt Takim Profesional Mjekësor 2007, me karakter mbarëshqiptar, i nënti me radhë, në organizim të Shoqatës së Mjekëve, Stomatologëve dhe Farmacistëve Shqiptar të Maqedonisë. Në Takim morrën pjesë mjekë, stomatologë dhe farmacistë nga Republika e Shqipërisë, Kosova, Republika e Malit të Zi dhe Republika e Maqedonisë. Takimi u mbajte në Pallatin e Kulturës në Tetovë.
Takimin e shpalli të hapur Kryetari i Shoqatës së Mjekëve, Stomatologëve dhe Farmacistëve Shqiptar të Maqedonisë Prof. dr Remzi Izairi. Kryetari i Shoqatës i përshëndeti të pranishmit, u dëshiroi mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Tetovë. Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Shoqatës e potencoi rëndësinë dhe qëllimet e mbajtjes së këtyre takimeve dhe paraqiti raport për punën katërvjeçare të Kryesisë aktuale të Shoqatës. Të pranishmit i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje Kryetari i Shoqatës – Dega Tetovë, dr Ilber Besimi. Në fjalën e Tij ai tha se sot Tetova krenohet pasi është nikoqir i këtij tubimi shkencor me vlerë dhe peshë të madhe mbarëkombëtare. Takimin, po ashtu, e përshëndeti edhe Nënkryetari i Shoqatës dr Idriz Orana.
Takimin e përshëndeti Rektori i Universitetit Shtetror të Tetovës Prof. dr Sadi Bexheti, Ministri i Shëndetësisë dr Imer Selmani dhe Kryetari i Odës së Mjekëve të Maqedonisë Prof dr Aleksej Duma.
Pjesa profesionale e takimit u zhvillua në dy salla. Temat ishin të lira, nga të gjitha fushat e mjekësisë. Më tepër tema kishte nga mjekësia interne dhe kirurgjia, pastaj pediatria, gjinekologjia, neuropsikiatria dhe oftalmologjia.
Pas çdo seance u zhvillua diskutim me pyetje dhe përgjigje mjaftë interesante.
Punimet e kumtuara, gjithsej 85, janë botuar në suplementin e Revistës “Medicus”. Libri i punimeve përmban 318 faqe, i cili zgjoi interesim të madh te mjekët, stomatologët dhe farmacistët.
Takimi është akredituar në Odën e mjekëve të Maqedonisë dhe pjesëmarrësit morrën çertifikatë të boduar për licençim.
Realizimi teknik i projektimit ishte i nivelit më të lartë dhe me këtë rast e falënderojmë dr.Lulzim Adilin.
Në holin e Pallatit të Kulturës u mbajt ekspozitë e industrive farmaceutike dhe e literaturës mjekësore.
Në fund të takimit fjalën përmbyllëse e paraqiti Kryetari i Shoqatës Prof. dr. Remzi Izairi, i cili mes tjerash, në emër të Kryesisë Qendrore të SHMSFSHM dhe të Kryesive të degëve të Shoqatës, u falënderua për pjesëmarrje masive. Në vazhdim e falënderoi Kryesinë dhe Kryetarin e degës së Tetovës dr Ilber Besimi, Drejtorinë e Pallatit të Kulturës në Tetovë për mirëkuptimin, si dhe industritë farmaceutike, të cilat me kontributin e tyre e ndihmuan realizimin e këtij takimi.
Në fund, Kryetari i Shoqatës konstatoi se Takimi Profesional Mjekësor 2007 e arriti qëllimin e vet dhe ishte mjaft i suksesshëm. Shprehu dëshirë që këto takime edhe në të arrdhmen ta ruajnë traditën dhe të jenë urë e bashkëpunimit dhe e këmbimit të ndërsjellë të arriturave shkencore të mjekësisë shqiptare kudo që ajo gjendet.
Për nder të pjesëmarrësve dhe mysafirëve në Hotelin “Lirak” në Tetovë u shtrua darke solemne.
Me kaq përfundoi dhe u mbyll Takimi Profesional Mjekësor 2007.